Dhimbjet e kokës nuk janë të pazakonta dhe ndodhin tetë herë më shpesh në mot të nxehtë. Përveçse e vështirësojnë punën dhe përqendrimin në detyra, ato nuk janë aspak të këndshme.
Terapistja Polina Shubina shpjegoi pse koka mund të na dhemb kaq shumë kur është vapë.
Arsyeja e parë është temperatura e lartë. “Çdo organizëm reagon ndaj nxehtësisë duke zgjeruar enët e gjakut dhe rrjedhimisht rënien e presionit të gjakut. Kur presioni i gjakut është shumë i ulët, gjaku nuk arrin mjaftueshëm në të gjitha pjesët e trupit. Si rezultat, qelizat nuk marrin mjaftueshëm oksigjen dhe lëndë ushqyese, të cilat mund të jetë shkas për dhimbje koke”, thotë Shubina, shkruan Index.hr.
Së dyti, gjatë të nxehtit, njerëzit djersiten dhe humbin lëngjet dhe mineralet e rëndësishme. Rrjedha e gjakut në lëkurë rritet dhe presioni i gjakut ulet, duke shkaktuar dhimbje koke tek disa njerëz.
Dallimi i madh i temperaturës midis ajrit të jashtëm dhe atij të hapësirave të mbyllura me ajër të kondicionuar është gjithashtu një shkaktar i mundshëm për dhimbje koke. Nëse diferenca është më shumë se pesë gradë, rekomandohet të vishni një shtresë shtesë veshjesh për t’ju mbajtur ngrohtë derisa trupi juaj të ambientohet me temperaturat më të ulëta.
Si të shmangni dhimbjen e kokës në vapë?
Pini mjaft lëngje
Shmangni qëndrimin në vende të mbytura
Vishni materiale të lehta dhe të ndritshme
Nëse vuani nga presioni i lartë i gjakut, mos harroni të merrni ilaçin tuaj
Bëni një dush të ftohtë
Shmangni të qenit jashtë mes orës 10:00 dhe 17:00, kur dielli është më i fortë.