Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.
Aty është diskutuar edhe për sfidat me zjarret dhe sigurinë në komunikacion.
“Gjatë paradites, me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilën u diskutua rreth situatës së sigurisë në vend, aktiviteteve të institucioneve anëtarë të këtij mekanizmi dhe planifikimet për periudhën në vijim.”
“Përveç tjerash në takim u diskutuan edhe çështjet e përgjithshme të sigurisë publike, dhe sfidat aktuale të ndërlidhura me zjarret dhe sigurinë në komunikacion.”
ZKM ka thënë se “institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim i kanë shtuar aktivitetet e tyre për të parandaluar por edhe mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarreve, si dhe masat tjera në shërbim të rritjes së sigurisë në komunikacion”.
“Ato do t’i shtojnë përpjekjet e tyre edhe në kuadër vetëdijesimit të qytetarëve në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe sigurisë së shtuar në trafik.”