Mbrëmë u raportua se një shtetas i Kosovës ka mbetur i vdekur në zonën e Luginës së Valbonës, gjegjësisht te vendi i quajtur “Maja e Thatë”.
Për lokalizimin dhe tërheqjen e trupit të tij u angazhuan ekipe nga Shqipëria, por edhe nga Kosova.
Policia e Shqipërisë njoftoi mbrëmë se për shkak të terrenit të thepisur malor, për nxjerrjen e trupit të personit që dyshohet se ka vdekur, nevojitet ndihma e helikopterit.
Megjithatë, deri në këto momente, viktima ende nuk është tërhequr.
Ndërkaq, ekipet e kërkim-shpëtimit nga Kosova dhe Shqipëria kanë shpëtuar tre shtetas të Kosovës të cilët kishin mbetur të ngujuar në po atë lokacion.
Klani mëson se po ashtu është kërkuar ndihma e KFOR-it që të ofrojë një helikopter, meqë helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë janë të angazhuar krejtësisht në shuarjen e zjarreve që kanë prekur shumë zona të vendit.
Policia e Shtetit ka njoftuar mbrëmë se rreth orës 17:10, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftimin se një shtetas kosovar, në vendin e quajtur “Maja e Thatë” në Valbonë, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rënë nga një lartësi dhe dyshohet se ka humbur jetën.
Në njoftimin e policisë thuhet se shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur drejt vendit të ngjarjes bashkë me grupin e Emergjencave Civile të Tropojës.
“Për shkak të terrenit të thepisur malor, është kërkuar ndërhyrja me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e pajetë të shtetasit kosovar nga zona ku ka rënë”, thuhet në njoftim.
Në ndihmë, mbrëmë është nisur edhe një ekip i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, të cilët thanë se operacioni është i ndërlikuar.