Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Italia ka njohur patentë shoferët e Kosovës.
Gërvalla ka bërë të ditur se marrëveshja për këtë çështje është nënshkruar sot.
“Sot në Romë u nënshkrua marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të patentë shoferëve të Republikës së Kosovës në Itali. Ky hap shënon një arritje të madhe dhe të shumëpritur për mërgatën tonë në Itali. Pas njohjes së patentë shoferëve edhe me Gjermaninë, ky sukses prek drejtpërdrejt jetën e mërgimtarëve tanë, duke lehtësuar lirinë e lëvizjes dhe përmirësuar mundësitë e punësimit dhe të bërit biznes,” ka shkruar ajo.
Ministrja ka treguar se marrëveshja hyn në fuqi pas 60 ditësh.
“Kjo marrëveshje ndërshtetërore do të hyjë në fuqi pas 60 ditësh dhe është një dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Qeverisë së Kosovës për të mbështetur mërgatën tonë gjithandej botës, e cila është pjesë e çmuar dhe e pandarë e zhvillimit dhe përparimit të Kosovës,” ka thënë ministrja Donika Gërvalla.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në Itali.
“Me energji dhe përkushtim jemi të vendosur të vazhdojmë punën tonë për t’u siguruar që çdo qytetar i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, të ndihet i mbështetur dhe i fuqizuar nga shteti ynë. Urojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë në Itali për këtë lajm të mirë. Ambasada dhe konsullatat tona në Itali do të jenë në dispozicion për të udhëzuar rreth procedurave të nevojshme,” ka thënë tutje Gërvalla.