Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është institucioni të cilit i drejtohet padia për gjenocid ndaj shtetit, por nuk përjashtohet që padia të ketë kërkesa dhe akuza të tjera, si krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, kompensimi për dëmet dhe të tjera. Besoj se padia e Kosovës do të përfshijë të gjitha kërkesat dhe akuzat e mundshme, pavarësisht nëse janë të bazuara ligjërisht apo jo”, thotë historiani serb Bojan Gjokiq në një intervistë për Danas.
Në një editorial me titull “Padia e Kosovës kundër Serbisë”, Gjokiq ka shkruar për Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, i cili është themeluar me dekret të Qeverisë së Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, si dhe për synimin e Institutit për të mbledhur prova për padinë e paralajmëruar të Kosovës kundër Serbisë.
Teksti ka shkaktuar edhe reagime, ndër të cilët avokati serb Milan Antonijeviq, i cili ka shkruar në “X” se “nuk mund të ketë padi nga Kosova kundër Serbisë, kaq”.
Gjokiq, i pyetur nëse është e mundur një padi e tillë, duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, është përgjigjur se kjo nuk është pengesë që Kosova të bëjë padi përmes një pale të tretë, pra që një shtet të bëjë padi në emër të Kosovës.
“Ne e pamë një shembull se si, në fund të vitit të kaluar, Republika e Afrikës së Jugut ngriti një padi kundër Izraelit për gjenocidin e supozuar të kryer kundër palestinezëve. Më pas Kuba, Kili dhe vende të tjera iu bashkuan padisë. Është një supozim i justifikuar që Republika e Shqipërisë do të ngrejë padi kundër Republikës së Serbisë dhe pastaj disa vende të tjera do ta mbështesin padinë”, tha Gjokiq.
Ai tha se “duhet pasur parasysh se individë janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para gjykatave të ndryshme” dhe se “në ato gjykime u përfshinë disa mijëra viktima shqiptare”.
“Megjithatë, pak njerëz janë të vetëdijshëm për faktin se ndaj popullatës shqiptare janë kryer krime të shumta që nuk kanë marrë epilogun e tyre”, tha Gjokiq.
Ai tha se “bëhet fjalë për 3000 deri në 4000 viktima”.
Nëse gjykata në mesin e këtyre krimeve konstaton ‘qëllimin’ për të kryer gjenocid, që është kushti kryesor që diçka të shpallet vepër penale e gjenocidit, padia mund të jetë katastrofike për Republikën e Serbisë. Gjithashtu, besoj se askush në Republikën e Serbisë nuk e ka lexuar aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ruandën, të marrë në vitin 1998 në rastin ‘Prokurori kundër Jean-Paul Akayesu’. Ajo krijoi një precedent. Ai arriti në përfundimin se përdhunimi është një akt gjenocidi”.
“Në Kosovë rreth 1650 persona kanë marrë statusin e viktimave të dhunës seksuale në luftë dhe ky do të ishte aseti kryesor i padisë. Për shkak të mosveprimit të Republikës së Serbisë, gjegjësisht mosveprimit ndaj disa qindra kallëzimeve penale të ngritura kundër individëve të ndryshëm për krime të kryera në Kosovë, duhet të presim që faktet e tilla të referohen në padi. Injorimi i problemit nuk çon në zgjidhjen e tij. Dhe duke bashkuar të gjitha provat, padia do të jetë ndoshta më e gjera që është parë në praktikën ndërkombëtare”, tha Gjokiq.