Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, nesër më 26 qershor do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.Në Bruksel, ata do të priten në takim nga kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.Kështu u bë e ditur në njoftimin e lëshuar për media nga Shërbimi Diplomatik i BE-së.Në njoftim thuhet se Kurti dhe Vuçiq, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh”.Bashkimi Evropian thekson se në takime do të analizohet ajo që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Borrell dhe “do të fokusohen në rrugën përpara”.“Do të ketë deklarata për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë përpara dhe në fund të takimeve në ndërtesën e EEAS”, thuhet në njoftim.