Kryeministri Albin Kurti, me ftesë të përfaqësuesit të posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manual Sarrazin, dje ka qenë për vizitë në Portin e Hamburgut për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X.
Kurti tha se shkoi atje për të mësuar më shumë rreth mundësive që edhe Republika e Kosovës të pajiset me një sistem të këtillë.
Nga atje Kurti tha se po shikojnë mundësitë që qeveria gjermane ta pajisë edhe Kosovën me një skaner të tillë.
“Sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt”.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jam këtu në Portin e Hamburgut me një delegacion nga Kosova, me ftesë të përfaqësuesit të posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin të cilin e falënderoj për mikpritjen e ngrohtë, për këtë vizitë e cila ka të bëjë me vëzhgimin dhe mësimin e këtij skanimi me rreze X që zhvillohet në portin e Hamburgut për kontejnerët, maunët, dhe transportuesit e tjerë.
Jemi të interesuar që të kemi tregti të sigurt andaj siguria në Kosovë nënkupton sigurinë e kufijve dhe sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt.
E falënderoj edhe një herë z. Sarrazin për këtë mundësi në portin e Hamburgut ku bëhet kontrolli kulmor i mallrave sa i përket sigurisë.