Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se ka raportuar në Këshillin e Evropës për gjendjen aktuale dhe dinamikat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Lajçak ka njoftuar se nga Firenca ka udhëtuar drejt Strasburgut me ftesë të anëtarëve të Këshillit të Evropës.
“Në këtë qytet të bukur në kufirin franko-gjerman, pata privilegjin që t’i njoftojë anëtarët e Këshillit të Evropës dhe të BE-së për gjendjen aktuale dhe dinamikat e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak.
“Gjatë qëndrimit në Strasburg, gjithashtu shfrytëzova mundësinë që të takohem me disa zyrtarë të Këshillit të Evropës për çështjet tona respektive”, ka thënë ai.
Ndërkaq të mërkurën, Lajçak ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Mathieu Mori me të cilin ka diskutuar për Kosovën.
Në një postim në rrjetet sociale, Lajçak ka thënë se gjatë këtij takimi të zhvilluar në Strasburg, temë diskutimi ishte forcimi i qeverisjes lokale në veri të Kosovës.
“Derisa isha në Strasburg diskutova me Mathieu Morin, Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës se si të forcohet qeverisja lokale në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçaku në platformën “X”.