Një dhomë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është kapluar nga zjarri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Përmes një njoftimi për media, nga Spitali njoftojnë se nuk ka persona të lënduar, por janë djegur disa pajisje të Teknologjisë Informative të cilat ndodheshin në dhomën në fjalë.
Rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm ka pasur një zjarr në katin e IV-të, të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar Policia dhe Zjarrfikësit. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.
“Me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit, por një dhomë ku kanë qenë pajisjet e Teknologjisë Informative është djegur dhe tani jemi në proces të konstatimit të dëmit”, thuhet në njoftim