Pas një operacioni që vetë Struktura e Posaçme Anti-korrupsion bën të ditur se zgjati 20 orë, dalin të dhënat e para zyrtare.
SPAK njofton se në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen vepronin 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme.
SPAK në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke ka shtrirë hetimet edhe në këto shtete për anëtarët e dyshuar të këtyre grupeve kriminale të përfshirë në vepra penale të kryera në Shqipëri dhe në disa vende të Bashkimin Evropian. Operacioni mësohet zyrtarisht se është drejtuar nga SPAK i dakordësuar me Europol, në të janë përfshirë 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe oficerë të huaj për të mbështetur Operacionin më të madh të kryer ndonjëherë.
Gjatë veprimeve të forcave të ligjit janë kontrolluar me vendim gjykate 50 ambiente banimi, janë gjetur dhe sekuestruar pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milionë euro, ku përfshihen 2.9 milionë euro CASH, sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të tjera të shtrenjta, ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro; armë zjarri; targa të përshtatura automjetesh; Automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro) si dhe sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg”, për 50 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave të ndryshme penale.
Nga këto urdhër arreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri, 2 në Itali 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 në Belgjikë.
Veprat penale që rëndojnë janë vrasja me paramendim, vrasja për gjakmarrje, shkatërrimit të pronës me eksploziv, vrasje me dashje, sigurimin e kushteve për vrasje, trafikimi të lëndëve narkotike, në një vend kufitar me Republikën e Shqipërisë gjatë vitit 2020, shpërdorimi i detyrës, pastrimi i parave, armëmbajtje pa leje, Nga hetimet thotë SPAK rezulton se janë të përfshirë një ish-Deputet, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020.