Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar krerët opozitarë në darkë pune për të diskutuar për agjendën legjislative.
Lidhur me këtë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ftesa për takim bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.
Haradinaj ka thënë se kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri dhe i gjithë grupi parlamentar do të diskutojnë dhe do të gjejnë një gjuhë, e cila pastaj do të përcjellet në Kuvendin e Kosovës.
“Ndërsa, nëse ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një mënyrë tjetër që të përafrojmë qëndrimet që janë me interesa nacional”, ka thënë Haradinaj.
Ndryshe, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar ftesën si të vonuar për të gjetur një klimë bashkëpunuese kur sipas tij, partia në pushtet “ka shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellur polarizim ofendues të skajshëm”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë përherë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut për Kurtin.