Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Atje ajo ka vizituar ushtarët amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, në kohën e sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar.
“Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Republikën e Kosovës”, ka thënë Osmani se ishte mesazhi që dëgjoi nga ta.
“Gra e burra nga ushtria amerikane për 25-vjet shërbyen me devotshmëri për lirinë dhe paqen, e edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë bashkë me ne në mbrojtje të shtetit dhe kufijve tanë. Prandaj dje i vizitova për t’ju shprehur falënderime në emër të popullit të Kosovës. Kosova është e bekuar që e ka këtë mbështetje.”, ka shkruar Osmani, derisa ka publikuar edhe fotografi me ta.