E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman, ishte në mesin e katër grave që i mori me vete presidentja e vendit Vjosa Osmani, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), për të raportuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Krasniqi Goodman, tha se përballja me presidentin serb, Aleksander Vuçiqin, nuk ishte e lehtë.
“Të ballafaqohesh, ose të dëgjosh një kriminel serb si Vuçiqi që e mohon të gjithë atë që ka ndodhur në Kosovë, është pak e vështirë. Por, sidoqoftë ne ia dolëm, dhe Kosova është faqebardhë”, u shpreh ajo.
“Vuçiqi dhe Rusia nuk ishin të kënaqur që ne ishin aty, më herët ai ka qenë shumë më i ashpër në fjalime, këtë herë ai nuk bëri ndonjë sjellje shumë të pahishme ndaj neve viktimave”, tha gjithashtu Krasniqi Goodman.
Ajo tutje tha se ka qenë një ndjenjë e mirë, fakti që në OKB, janë paraqitur krimet që Serbia ka bërë në Kosovë, dhe e lavdëroi fort Osmanin e cila i mori me vete disa nga të mbijetuarat e luftës.
“Është një ndjenjë e papërshkruar, nuk është hera e parë që kam qenë në OKB. Unë edhe vet kam dëshmuar, por me atë që e tha presidentja me dinjitetin si e prezanton Kosovën është një kënaqësi shumë e madhe për neve, meqenëse është edhe presidentja e parë që ka arritur t’i fut viktimat apo dëshmitarët në OKB”, tha Krasniqi Goodman.
Ajo tutje në një lidhje direkte në Edicionin Special, konfirmoi se në fillim kishin probleme të futeshin brenda sallës për të qenë pjesë e delegacionit të Kosovës, por tha se në fund presidentja Osmani nuk është futur pa qenë edhe katër heroinat me to pjesë e delegacionit, dhe kjo i mundësoi atyre që marrin pjesë.
Vasfije Krasniqi, Shyrete Tahiri – Sulimani, Fahrije Hoti dhe Elhame Muçolli, janë katër gratë heroina të mbijetuara nga lufta e fundit në Kosovë, që morën pjesë të hënën, në seancën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara.