“Pa dyshim, dielli do të lind përsëri” – Krasniqi viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka realizuar një vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, ku ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi tha se ka gjetur ish-krerët e UÇK-së me moral të lartë dhe me besim të patundur në të drejtën e tyre.

“Pas gati gjashtë muajsh, sot vizitova përsëri Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli në Hagë. I gjeta ashtu siç i kisha lënë herën e fundit: me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Kosovës dhe në të drejtën e luftës së shenjtë të popullit tonë për liri”, shprehet Krasniqi.

Sipas tij, pavarësisht kufizimeve në lirinë fizike, shpirti i tyre qëndron i pathyer.

Ai shton se kurajoja dhe qëndrimi i tyre i fortë janë prova të qarta të vendosmërisë dhe forceve të tyre morale që do të mbeten të pandryshuara deri në “ditën e madhe të rikthimit në atdhe”.

Krasniqi thekson gjithashtu se situata e të paraburgosurve rikujton vazhdimisht sakrificat dhe çmimin e lartë që populli kosovar ka paguar për lirinë, një çmim që ende vijon të paguhet pas 25 vjetësh nga përfundimi i luftës.

“Keni të fala të gjithë, pa përjashtim, nga çlirimtarët tanë. Pa dyshim, dielli do të lind përsëri”, shkroi Krasniqi.

Kliko këtu:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *