Ky është personi që gjuajti me armë gjatë përleshjes në Podujevë, ndalohet për 48 orë

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar pasditen e së dielës në fshatin Llaushë në Podujevë, ku disa persona po dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike. Gjatë konfliktit mes dy palëve, njëri prej të dyshuarve ka shkrepur edhe armën disa herë. Rasti është konfirmuar tashmë edhe nga Policia.

Siç merr vesh Sinjali, personi që dyshohet se ka shtënë me armë është Albin Zeqiri, rreth 22-vjeçar, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rrahja po dyshohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshje në trafik mes personave të dyshuar, që për pasojë eskaloi.

Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari ka gjuajtur me kallashnikov, por jo në drejtim të personave të dyshuar dhe fatmirësisht s’ka të plagosur.

Pasi rasti është denoncuar në Polici, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja që dyshohet të jenë të armës që u përdor.

Personat e përfshirë në incident janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.

Pas përfundimit të procedurave, ndaj të dyshuarit që gjuajti me armë zjarri, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, ndërsa rasti është iniciuar ndaj të gjithë personave të dyshuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *