Mediumi spanjoll: Tetë deputetë të Spanjës do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE

Përfaqësuesi e partive spanjolle Partia Socialiste e Punëtorëve (PSOE) dhe Partia Popullore (PP) thonë se do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, siç ka raportuar agjencia e lajmeve spanjolle “Europa Press”.

Sikurse pesë parlamentarët socialistë ashtu edhe të tre nga Partia Popullore do të refuzojnë pranimin e Kosovës, pavarësinë e së cilës Spanja ende nuk e ka njohur deri më sot, pavarësisht faktit se ajo ndodhi në vitin 2008, shkruan ky medium,

“Do të votojmë kundër sepse vazhdojmë të mbajmë të njëjtat kritere sa i përket Kosovës”, i kanë thënë agjencisë spanjolle burime të PSOE, të cilët konsiderojnë se tani nuk është koha për hyrjen e Kosovës.

Nuk ka asnjë ndryshim edhe për sa i përket qëndrimit që PP-ja ka mbrojtur që nga ngjarjet e vitit 2008 dhe që ky qëndrim u mbajt edhe gjatë qeverisë së Mariano Rajoy për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, thonë burimet e PP për mediumin spanjoll, duke konfirmuar se do të votojnë kundër dhe duke thënë se “nuk është precedent i mirë” që “ky territor të jetë përfundimisht anëtar i Këshillit të Evropës”.

Asambleja Parlamentare do të mbajë një debat të martën në të cilin duhet të vendosë nëse do t’ia referojë vendimin për anëtarësimin e Kosovës Komitetit të Ministrave, organi më i lartë i organizatës, përpara takimit të tij në mes të majit në Reikiavik.

Pikërisht, ishte ky institucion që një vit më parë i kishte kërkuar APKE-së të vendoste për këtë çështje pasi Kosova zyrtarisht e paraqiti kërkesën për anëtarësim më 12 maj.

Apriori, shkruan “Europa Press” kërkesa e Kosovës nuk duhet të ketë asnjë problem për të kaluar procedurën në Asamblenë Parlamentare, pavarësisht refuzimit të tetë përfaqësuesve të PSOE dhe PP së Spanjës, e cila ka gjithsej dymbëdhjetë deputetë në PACE.

“Europa Press” shkruan se ekziston një shumicë e madhe, vendet e së cilës e njohin Kosovën dhe do të votojnë pro.

Burime diplomatike sqarojnë se Qeveria “mban qëndrimin e saj të mosnjohjes”, duke lënë të kuptohet se kur të vijë koha, ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares, do të votojë kundër.

Megjithatë, edhe pse dymbëdhjetë nga 46 anëtarët nuk e njohin Kosovën, jo të gjithë votuan kundër dërgimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në PACE vitin e kaluar.

Kështu, Spanja, si Serbia, Azerbajxhani, Qiproja, Gjeorgjia dhe Rumania, votuan kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia, Ukraina, Moldavia dhe Bosnja abstenuan. Armenia nuk mori pjesë në këtë votim ndërsa Hungaria, e cila e njeh, votoi kundër.

Debati i së martës së ardhshme zhvillohet pasi më 27 mars Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të APKE-së rekomandoi hyrjen e Kosovës si anëtare e Këshillit të Evropës në bazë të raportit të përgatitur nga deputetja greke Dora Bakoyannis (EPP).

Agjencia spanjolle e lajmeve më pas raporton edhe mbi përmbajtjen e raportit, duke njoftuar publikun spanjoll se “nëse raporti vazhdon pa amendamente, Komiteti i Ministrave ftohet të sigurojë që hyrja të ndodhë “pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare lidhur me shtetësinë e Kosovës”.

Kërkohet gjithashtu që të sigurohet që pavarësisht nga pozicioni që ata mbrojnë për këtë çështje, shtetet anëtare “të respektojnë vendimin e marrë nga Komiteti i Ministrave dhe të bashkëpunojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *