Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar së fundmi nga një grua në Prishtinë, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje me burrin, i njëjti është kapur me të dhe e ka kërcënuar me vrasje.
I dyshuari i ka shkaktuar shqetësim të madh gruas, pasi i është drejtuar me fjalët “T’lo në kolicë, gjakun n’muri ta qes”, thonë të njëjtat burime.
Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.