Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), ka ndarë fonde për renovimin e një stadiumi tjetër në Kosovë.
Bëhet fjalë për stadiumin e qytetit të Gjakovës, i cili sipas kreut të MKRS-së, Hajrulla Çeku do të renovohet. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Çeku ka bërë të ditur se janë ndarë 9 milionë euro për renovimin e stadiumit në Gjakovë.
Ai ka shtuar se të enjten është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me Komunën e Gjakovës, ku MKRS-ja ka garantuar gjithë buxhetin e nevojshëm për përfundimit të stadiumit. Ndërkohë, Komuna e Gjakovës e ka për obligim zhvillimin e procedurave të prokurimit, punët ndërtimore si dhe mbikëqyrjen teknike.
“Futbollistët dhe qytetarët e kësaj komune dhe më gjerë do të kenë stadiumin e merituar, me kushte të dinjitetshme për të zhvilluar aktivitetet sportive dhe ndjekur ndeshjet e ekipeve të preferuara”, ka shkruar ministri Çeku ndër të tjera në postimin e tij.