Rritën dënimet në trafikun rrugor, për përdorim të telefonit gjoba deri në 500 euro

Kundërvajtjet në trafikun rrugor, nga 3 prilli do të kenë dënime më të larta.

Përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, dënohet me 100 euro gjobë dhe shqiptim i një pike negative. Kur kjo ndodh të herë të dytë, dënimi shkon në 200 euro, 2 pikë negative dhe ndalim ngasje për tre muaj.

Kur vozitësi përdor telefonin më shumë se dy herë, dënohet me 500 euro, tri pikë negative dhe ndalim ngasje për 6 muaj.

Si shkelje të të drejtave të njeriut, vlerësohet marrja e patentë shoferit pa pasur alternativë.

“Edhe ligji paraprak, edhe ligji i ri është dashur të ketë një mekanizëm zëvendësues. Pra, nëse nuk dëshiron të konfiskohet patentë shoferi, duhet të paguash gjobën trefish, katërfish apo edhe dhjetëfish. Mirëpo, konfiskimi i patentë shoferit pa alternativë është shqetësuese dhe vlerësoj se në mënyrë indirekte e cenon të drejtën elementare, atë të lëvizjes, që është e përcaktuar edhe me Kushtetutën e Kosovës”, tha avokati Qëndrim Arifi.

Me ligjin e ri për rregulla të trafikut rrugor, ndalohet që vozitësi i automjetit të mbajë në prehër dikë tjetër, përfshirë edhe fëmijët. Në të kundërtën parashihet gjobë prej 400 euro, 5 pikë negative dhe ndalim i ngasjes për 6 muaj.

Mosvendosja e rripit të sigurisë, dënohet me 150 euro gjobë.

As përmbajtja e ligjit të ri, nuk konsiderohet se do të ndikojë në parandalimin e aksidenteve.

“Nuk është se ke me pas diçka dobi në parandalimin e aksidenteve apo në rregullimin e komunikacionit. Kjo është vetëm një ndëshkim për qytetarët që thyejnë rregullat, me një kosto shumë të lartë. Edhte pse nuk kanë qenë të ulëta as më herët, por tash, veçse janë dyfishuar”, tha njohësi i komunikacionit, Lavdim Hamiti.

Ligji i ri ka rregulla edhe për vozitësit e trotinetëve.

Personat nën moshën 16-vjeçare nuk kanë të drejtë të ngasin trotinet.

E nëse kjo ndodh, qiradhënësi do të dënohet me gjobë prej 500 euro, kurse prindi/kujdestari i fëmijëve do të dënohen me gjobë prej 100 euro.

Ligji i ri ndalon qarkullimin e trotineteve me dy persona njëkohësisht, e nëse kjo ndodh, ngasësi dënohet me 100 euro gjobë dhe konfiskim të mjetit për 3 muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *