Pse ndihemi të fryrë kur udhëtojmë me avion?

Ndiheni të fryrë kur udhëtoni me avion? Nuk jeni të vetmit. Udhëtimi ajror ndodh të prishë sistemin e tretjes, duke çuar në simptoma si gazrat, fryrjet dhe nevojën për t’u çliruar.

‘E keni parasysh ngushtësinë që ndieni nga rripi i sigurimit gjatë fluturimit? E po ndodh vërtetë’, – tha Dr. Melissa Hershman, gastroenterologe në Universitetin e Shëndetit dhe Shkencës në Oregon.

‘Disa njerëz, për shembull ata me sindromën e zorrës së irrituar, shqetësohen nga gazrat dhe fryrja e barkut më shumë se të tjerët’, – tha Dr. Baha Moshiree, një gastroenterolog.  

Megjithatë, nëse mësoni shkaqet e këtyre simptomave, jeni në hap larg reduktimit të problemit.

Ne gjithmonë kemi gazra në traktin e tretjes. Ne gëlltisim ajër kur hamë dhe pimë. Gjithashtu, mikrobet e zorrëve prodhojnë gaz. Kur një avion ngrihet në fluturim, presioni i kabinës bie, ajo sasi normale e gazit zgjerohet, duke zënë më shumë hapësirë në stomak dhe zorrë. Është e ngjashme me atë që ndodh me një qese me patate të skuqura ose një shishe plastike me ujë. Ajo fryhet e gjitha. Nuk ka shumë kërkime për këtë temë, por në një studim të vitit 1969, 18 ushtarakë ‘ranë dakord të shmangin kalimin e gazit’ gjatë një fluturimi të simuluar. Ndërsa lartësia e tyre e simuluar u ngjit 9 kilometra nga niveli i tokës, gazi i tyre mesatar i barkut u katërfishua. Me sa duket, kur je në lartësi ngadalësohet kontraktimi i muskujve që vë në punë sistemin tretës, tha Dr. Moshiree. Ekspertët nuk e dinë pse ndodh kjo, por është një arsye që të jeni kaps dhe të keni gazra. Të ulesh për orë të tëra gjatë një fluturimi të gjatë nuk ndihmon, tha Dr. Hershman – ecja dhe aktivitetet e tjera fizike normalisht ndihmojnë në mbajtjen e traktit gastrointestinal ‘të lëvizë’.

Stresi dhe ankthi i udhëtimit gjithashtu mund të përkeqësojnë gazrat dhe fryrjen, tha Megan Riehl, një psikologe gastrointestinale në Michigan Medicine.

Si të parandaloni dhe përballoni gazrat gjatë udhëtimit?

Nuk mund të ndryshoni lartësinë ose presionin e ajrit të avionit tuaj, por nëse gjatë fluturimit ndiheni të fryrë, ekspertët kanë disa sugjerime për udhëtimin tuaj të ardhshëm.

Kujdes çfarë hani

Një ditë para nisjes shmangni ushqimet që ju shkaktojnë gazra, tha Tamara Duker Freuman, dietologe. Këto ushqime janë fasulet, qepët, hudhrat, gruri dhe disa arra, produktet e qumështit dhe frutat.

Edhe në ditën e udhëtimit vazhdoni të shmangni këto ushqime.

Qëndroni të hidratuar

Hidratimi është çelësi për shmangien e kapsllëkut, i cili mund të përkeqësojë gazrat dhe fryrjen, tha Dr. Moshiree. Gjithashtu, shmangni alkoolin një ditë më parë dhe ditën e udhëtimit, pasi mund t’ju dehidratojë. Për sa i përket kafes, nuk ka asnjë provë që tregon se rrit fryrjen, tha zonja Freuman. Disa njerëz, mund të fryhen nga pijet e gazuara, por disa të tjerë mund të çlirohen, duke i ndihmuar të gromësijnë pak dhe të zvogëlojnë grumbullimin e gazit, shtoi ajo

Këshillë: Njihni veten, dhe merrni atë që dini se ju bën mirë!

Mund të merrni medikamente dhe suplemente sipas nevojës

Për shembull medikamentin pa recetë si Gas-X ose Mylanta përpara fluturimit ose provoni një suplement enzimë si Beano ose Fodzyme përpara se të hani, të cilat mund të ndihmojnë në reduktimin e gazit të prodhuar nga tretja, tha Dr. Hershman.

Shmangni çamçakëzin

Përtypja e çamçakëzit mund të lehtësojë shqetësimin e veshëve gjatë fluturimit, por gjithashtu mund t’ju bëjë të gëlltisni më shumë ajër. Nëse jeni të shqetësuar për fryrjen, kufizoni përtypjet, tha Dr. Hershman.

Lëviz

Nëse mundeni, ngrihuni nga vendi çdo orë apo më shumë. Përpiquni të lëvizni mesin sa nga njëra anë, në tjetrën. Këto lëvizje mund të ndihmojnë që gazi të përhapet në zorrë në vend që të grumbullohet në një vend, tha zonja Freuman.

Merr frymë thellë

Frymëmarrja me diafragmë mund të ndihmojë në uljen e stresit dhe relaksimin e zorrëve, tha Dr. Riehl. Së pari, merrni frymë prej katër sekondash përmes hundës dhe ndieni barkun tuaj duke u ngritur, shpjegoi ajo. Më pas, nxirrni frymën për gjashtë sekonda përmes gojës dhe ndieni barkun që ulet.

Çlirohu

Nëse gazrat po ju shkaktojnë dhembje dhe shqetësim, mbajtja e tij brenda vetëm sa do ta përkeqësojë situatën. Shkoni në tualet nëse mundeni, në të kundërt lëre zhurmën e motorit t’ju mbulojë dhe thjesht çlirohuni, tha Dr. Riehl.

Më beso, nuk jeni të vetmit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *