Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, ka liruar gjinekologun Sebajdin Gjini nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të Gjinekologjisë/Obsterikë në këtë Spital.
Lirimi i Gjinit nga kjo pozitë, erdhi pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” me titull “Referimet e pacientëve në klinika private”, ku tregohej se si doktori Gjini kishte referuar një paciente në spital privat, për të kryer lindje cezariane të parakohshme.
Lajmin e ka konfirmuar drejtohesha e Spitalit, Narziqe Hoxhaj.
“Është liru, se ka qenë ushtrues detyre doktori, është liru prej detyre”, ka thënë ajo.
Në lidhje me rastin e referimit në spital privat, gjinekologu Gjini ishte dënuar nga Inspektorati Shëndetësor me 2 mijë euro gjobë, për shkelje të Ligji për Shëndetësi dhe moslicencim të klinikës. Por, që për këtë gjobë nuk ishte njoftuar Spitali i Prizrenit.
“Për shkak se na s’e kemi pas atë vendimin e Inspektoratit, iu kam thanë që s’kemi pas asnjë dokumentacion vetëm e kemi pa që është publiku në media. Ne dokumentacion nuk kemi, domethënë, dokumentet e doktorit”, ka thënë tutje drejtoresha.
Hoxhaj thotë se vendimin e Inspektoratit e ka parë në emision dhe më pas e ka konfirmuar përmes telefonit, që Gjinit i ishte shqiptuar gjobë nga Inspektorati.
Në vendimin e marrë nga Inspektorati, në mesin e personave gjegjës që iu dorëzohet vendimi, figuronte edhe emri i drejtorit të atëhershëm të spitalit, Afrim Avdaj.
Mirëpo, i kontaktuar përmes telefonit, ai ka thënë se nuk i kujtohet rasti dhe pyetjet t’i adresohen me shkrim.
Por që nuk është përgjigjur më.
“Dënimet janë prej vërejtjes me gojë deri në suspendim nga puna. Për çështje të tjera më shkruani dhe do t’ju kthej përgjigje”, ka thënë ish-drejtori.
Në anën tjetër, nga Inspektorati Shëndetësor kanë pohuar se vendimi i është dorëzuar dhe Avdajt si drejtor i Spitalit.
Emisioni ka kërkuar përgjigje edhe nga menaxhmenti i ShSKUK-së nëse kanë njohuri për këtë rast, mirëpo ata kanë përcjellë vetëm përgjigjen e Spitalit të Prizrenit, pa dhënë sqarime mbi hierarkinë llogaridhënëse që do duhej të funksiononte mes tyre.
Ky rast nuk ishte raportuar as në Odën e Mjekëve, Prokurori apo Polici.
Ndryshe, hulumtimi i “Betimit për Drejtësi“, i transmetuar të shtunën (23 mars 2024), tregon se si pacientes Geonita Zogaj-Bytyqi, në muajin e nëntë të shtatzënisë iu kishte keqësuar gjendja nga tensioni i lartë dhe infeksioni urinar.
Për shkak të problemeve shëndetësore, si rrjedhojë foshnja nuk po arrinte të zhvillohej me ritmin e duhur. Për këtë, ajo zhvilloi vizitë në Repartin e Gjinekologjisë në Prizren.
Analizat e bëra tregonin se foshnja nuk po zhvillohej më dhe si përfundim procesi i shtatzënisë nuk duhet të vazhdojë. Si rrjedhojë, asaj ju tha se duhet të kryejë lindje cezariane të parakohshme.
Geonita bashkë me bashkëshortin, Jetmirin, thonë se lindja iu pamundësua në spitalin publik të Prizrenit.
Ata thonë se gjinekologu Gjini, njëherësh edhe u.d drejtor i Repartit të Gjinekologjisë, i cili e kishte monitoruar edhe procesin e shtatzënisë, i referoi për ta kryer këtë operim në një spital privat.
Arsyet, sipas tyre, lidheshin me pacientët që po merrnin trajtim për COVID-19 dhe papastërtia në spital.
Ata thonë se kishin insistuar që lindja të kryhet në Spitalin e Prizrenit, por vazhdimisht i janë gjetur arsye të ndryshme, që lindja të kryhej në spital privat.