Janë djegur veranda dhe vreshta e drejtorit për Kulturë, Rini e Sport në Leposaviq, Nenad Radosavljeviq, ka njoftuar zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, që ka lidhur rastin me “banditë të Milan Radoiçiqit e Aleksandar Vuçiqit”.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka thënë se dyshimet fillestare janë për djegie nga telashet me rrymën.
“Banditët e Radoiçiqit & Vuçiqit ia dogjën verandën dhe vreshtën drejtorit për Kulturë, Rini e Sport në Leposaviq, z. Nenad Radosavljević. Seria e krimeve të tyre ndaj zyrtarëve institucionalë në komunat veriore s’do ta thyejë vullnetin e qytetarëve serbë për të jetuar të lirë e të barabartë me tjerët në Kosovë”, ka shkruar Vokrri të shtunën në mbrëmje në Facebook.
Ai ka postuar video e fotografi që tregojnë pronat e djegura.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se dyshimet janë se objektet janë djegur si pasojë e telasheve me rrymë, raporton Koha.
S’është hera e parë që në veri janë djegur prona të zyrtarëve serbë që punojnë në institucionet komunale. Në mars nënkryetares së Komunës së Zveçanit iu dogjën lokalet në qendër të kësaj komune.
Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë së Kosovës, u vranë tre sulmues. Shumica e sulmuesve ikën. Pamjet kanë treguar qartë udhëheqjen e grupit nga Radoiçiqi. Ai ka pranuar përgjegjësinë, ndërsa në Serbi është liruar.