“Kom me iu zhduk…”/ Këta janë dy të dyshuarit për sulmin dhe kanosjen ndaj dy policëve në Vushtrri

Zyrtarët policorë shpeshherë janë cak i kërcënimeve serioze qoftë kur janë jashtë apo edhe gjatë detyrës zyrtare. Jo rrallëherë kanosjet verbale eskalojnë, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në Vushtrri, për çka janë arrestuar dy persona.

Sinjali përmes burimeve brenda Prokurorisë ka mësuar detajet nga ngjarja, si dhe identitetin e dy të dyshuarve, të cilët janë Granit Merovci 28-vjeçar dhe Jusuf Rama 40-vjeçar.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një zënke në komunikacion, ku dy të dyshuarit kanë hasur në rreshterin e Policisë, me ç’rast Rama përpos ofendimeve e kërcënimeve karshi zyrtarit policor që ishte jashtë detyrës, dyshohet se edhe e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore.

Në vendngjarje ka rastisur edhe zyrtari tjetër policor, i cili po ashtu ishte civil dhe ndonëse ka provuar që të parandalojë incidentin, të dyshuarit nuk kanë përfillur urdhrat e tij dhe kanë vazhduar me kërcënime ndaj tyre.

Një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar Merovcin dhe Ramën, teksa zyrtarët policorë janë dërguar për tretman mjekësor në spital.

Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe të njëjtit do të hetohen për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje në trafik kishin sulmuar fizikisht dhe kanosur dy viktimat meshkuj kosovarë. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me  vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *