Trajneri i kombëtares së Kosovës në futboll Franco Foda, ka mbajtur një konferencë për media para dy ndeshjeve miqësore që “Dardanët” pritet t’i luajnë kundër Armenisë dhe Hungarisë.
Ai nga gazetarët u pyet edhe rreth arsyes për mosftesën e futbollistëve, Ermal Krasniqi, Qëndrim Zyba dhe Muhamet Hyseni.
Foda tha se të gjithë futbollistët i kanë dyert e hapura, duke i dhënë edhe arsyet.
“Ne e kemi një plan shumë të qartë, me të cilin do të luajmë kundër Armenisë. I kemi përcjellë ndeshjet e lojtarëve live dhe i kemi shikuar edhe online. Për këtë arsye jemi vendosur për lojtarët që i kemi ftuar. Gjithsesi, çdo lojtar e ka mundësinë ta tregojë veten për ndeshjet e ardhshme”, tha ai.
“Ne pra kemi bërë udhëtime, kemi qenë edhe në Bukuresht. E kemi pas një grup prej 40-50 lojtarësh, por ne jemi përcaktuar për lojtarët që na kanë magjepsur më shumë. Gjithsesi, secili prej këtyre lojtarëve të ftuar duhet ta tregojë veten, më të mirën nga vetja. Gjithashtu dyert do të jenë të hapura për çdo lojtar, do të kenë mundësi që ta tregojnë veten. Por, po duam që lojtarët që i kemi ftuar, t’ua japim mundësinë që ta tregojnë veten në këto dy lojë. Në të ardhmen do t’i përcjellim vazhdimisht lojtarët. Për ne është shumë me rëndësi që të përgatitemi në këto ndeshje dhe gjatë verës, që t’i zgjedhim lojtarët më të mirë për Ligën e Kombeve”, deklaroi trajneri gjermani.