Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.
Disa të shtëna me armë janë dëgjuar mbrëmë në fshatin Pjetërshticë të Shtimes, ku një person dyshohet se përdori armën në një aheng familjar.
Burimet bëjnë me dije se një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në 52-vjeçarin e dyshuar, i cili ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
I dyshuari ka dorëzuar armën që përdori në rast, teksa vetë u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për dy veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.
Kujtojmë se në vazhdimësi është bërë thirrje që të festohet pa armë, por siç duket këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.