Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas aksionit të sotëm në Bibliotekën Kombëtare, ku u arrestuan nëntë aktivistë të partisë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka kritikuar ashpër ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, se ka kontribuar palodhshëm në dështimin e përgjithshëm të sistemit arsimor.
“Deri më sot, Ministrja Arbërie Nagavci, ka arritur rezultate të mangëta në shumicën e lëndëve. Shembullore është treguar vetëm në shkelje të Kushtetutës.
Si udhëheqëse e Ministrisë, Arbërie Nagavci ka kontribuar palodhshëm në dështimin e përgjithshëm të sistemit arsimor, që nga çerdhet e reja, furnizimi me kohë me libra shkollorë, rezultatet në PISA e deri tek sjellja e saj me Sindikatën e Arsimit. Të gjithë dështimin e ka të mbështjellur shkëlqyeshëm me shkelje të Kushtetutës.
Nuk janë disa dështime. Është një dështim i tërë e në kurriz të sistemit arsimor!
Rekomandimi është i qartë dhe ka urgjencë:
Përjashtimi i menjëhershëm nga Qeveria!
Me këso nota në shkollë e përseritë vitin, por ne urojmë që ministrja Nagavci të mos e përsëritë dështimin e saj as në këto muajt e mbetur të mandatit dhe aq më shumë kërkojmë që Qeveria mos të i’a shndërrojë në nota kaluese dështimet përmes intervenimeve të dhunshme të policisë në kumtime të qeta të suksesit të minsitrës, të formës së aktivizmit politik”, shkroi ai.
Më tej, Molliqaj kërkoi lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Teutë Rrusta, Nol Nushi, Gëzon Kastrati, Zgjim Hyseni, Natyra Kuçi, Behar Retkoceri, Lisjan Perolli, Eliot Hashimi, Frashër Krasniqi.