acientë duke mbajtur në duar raporte mjekësore teksa presin në ambulancat specialistike në QKUK.
Mungesë vëmendjeje e kujdesi, vonesa në diagnostikim e pritje të gjata në korridore…
Ankesa si këto e të ngjashme ndanë me Radion Evropa e Lirë disa pacientë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
REL-i ishte edhe vetë dëshmitar kur në një prej sallave të Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, një punonjës shëndetësor, teksa i ofronte shërbimin e fizioterapisë një pacienteje, në njërën dorë mbante edhe telefonin.
Me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, mjeku, në çdo rrethanë, “duhet t’ia kushtojë të sëmurit kohën e nevojshme, jo vetëm për ta diagnostikuar dhe mjekuar në mënyrë të përshtatshme, por edhe për ta asistuar dhe për t’ia lehtësuar vuajtjen”.
Në Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve thonë se pranojnë me qindra ankesa në vit, por se “trajtimi i tyre çalon”.
Oda e Mjekëve, në anën tjetër, thotë se ankesat trajtohen dhe zgjidhen në bazë të ligjeve në fuqi.
“Na thanë të presim”
Nazmi Mulaku, edhe pse ndjen se bashkëshortes së tij nuk i është ofruar trajtim i duhur as në Spitalin e Pejës, as në QKUK, nuk ka bërë ankesë – së paku “jo deri më tash”.
Thotë se janë ende në procedura të diagnostikimit dhe se duhet të presin.
Mulaku, banor i komunës së Istogut, thotë se mjekët në Pejë nuk kanë arritur ta përcaktojnë diagnozën e bashkëshortes, përkundër disa kontrolleve të njëpasnjëshme.
Në javën e fundit të shkurtit, çifti u drejtua në QKUK.
“Më është dashur të gjej dikë për të ndërhyrë, që ta pranonin [gruan] në spital”, thotë i shoqi.
“Gruaja është në gjendje jo të mirë. Na thanë se duhet të presim. Mendoj se nuk po trajtohet qysh duhet”, shton ai.