Donyell Malen po bën mjaft mirë këtë sezon me Borussia Dortmund. Sulmuesi holandez ka shënuar 12 gola në të gjithë kompeticionet (+2 asiste), ndërkohë që ëndërron të rikthehet në Angli.
Atje ku luajti me moshat e Arsenalit, por pa arritur të debutonte me skuadrën e parë. Dëshirë që 25-vjeçari nuk e fsheh në një prononcim për Voetbalzone.
“Meqenëse kam luajtur në Angli kur isha i ri, është një ëndërr për mua të luaj në Premier League. Një ëndërr e bukur. Po, e pranoj. Do të më pëlqente të rikthehesha tek Arsenali.
Si adoleshent që isha e doja Arsenalin, ishte klubi im i preferuar. Dhe sot Arsenali vijon të mbetet zgjedhja ime e parë.
Luaja me ekipin e të rinjve, isha rreth 17-18 vjeç dhe e ndjeja se isha në drejtimin e duhur. Mendoja gjithashtu se duhej të luaja në ligat profesioniste.
Gjithashtu sepse pashë shokët e mi të iknin për të luajtur me të rriturit, ndërsa unë isha ende pjesë e futbollit të të rinjve. Kështu që e dija që largimi ishte gjëja e duhur”, kujton Malen.