Ka përfunduar në një triller sfida mes KB Pejës dhe KB Prishtinës në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë në kuadër të Ligës Ballkanike.
Klubi pejan triumfoi në momentet e fundit ndaj klubit kryeqytetas, në një ndeshje e cila u përcoll me diskutime të mëdha.
Djemtë e drejtuar nga Rami Hadar fituan derbin me rezultat 87-84 ndaj Prishtinës, me një vjedhje të topit në fund ndaj Sirkos, për të cilën referi nuk akordoi faul, duke i lejuar klubit pejan që t’i shënojë dy pikë të rëndësishme për të marrë avantazhin dhe më pas rritur epërsinë edhe përmes një gjuajtje të lirë, pasi u dha teknike nga klubi i Prishtinës për protesta.
Peja tani regjistron fitoren e 4-të në 5 ndeshje dhe renditet e treta në tabelë me 9 pikë të mbledhura. Ndërkohë Prishtina mbetet e katërta, me 3 fitore dhe dy disfata pas 5 ndeshjeve.