Sulmohet fizikisht këshilltari i Ministrisë së Jashtme

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Çerim Bajrami, është sulmuar fizikisht.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 16:00, në Prizren.

Viktima është goditur nga i dyshuari me boks në hundë duke pësuar lëndime trupore.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka dhënë detaje lidhur me rastin.

“Deri te fjalosja ka ardhur për shkak se i dyshuari me disa të tjerë ka qenë duke lujtur me top ndërsa viktima ka kërkuar nga ata që të ndërpresin lojën e të mos i shqetësojnë”, tha Bytyqi.

Sulmin ndaj këshilltarit të MPJD-së e ka dënuar Partia Demokratike e Boshnjakëve – Koalicioni Vakat.

“Partia Demokratike e Koalicionit Boshnjak Vakat, me indinjatën më të thellë, dënon këtë akt frikacak të dhunës që ka ndodhur ndaj z.Bajrami. Ne besojmë se sulmi fizik ndaj çdo individi, pavarësisht nga pozicioni apo bindjet e tij, është krejtësisht i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me vlerat tona themelore njerëzore”, thuhet në reagim.

“Sulme të tilla jo vetëm që rrezikojnë individin që synohet, ato shkelin të drejtat themelore të njeriut dhe paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për vlerat e komunitetit tonë. Ndaj është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të reagojnë urgjentisht dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e duhur për të vënë para drejtësisë autorët e këtij akti të shëmtuar”, theksohet në reagim.

“Shprehim shpresën tonë të sinqertë për shërimin sa më të shpejtë të z. Bajrami dhe qëndrojmë pranë tij si simbol i mbështetjes së paqes, tolerancës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ne do të vazhdojmë të promovojmë në mënyrë aktive një kulturë dialogu, duke respektuar diversitetin dhe duke shtypur çdo formë dhune në shoqërinë tonë”, përfundon reagimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *