Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së re e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb në vend s’mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
BQK tha se ka hartuar një plan të ri zbatimi me qëllim që t’i lehtësojë efektet e rregullores së re për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.
Sipas BQK-së, tash ka një plan me “veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”.
Rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, ndërsa Qeveria e Kosovës u përball me një presion ndërkombëtar për ta shtyrë zbatimin.