Kompania e kontraktuar ka vazhduar me testimet edhe me kamionë për stabilitetin infrastrukturor të urës mbi lumin Ibër, në Mitrovicë.
Ndërkaq, gjersa testimi është duke vazhduar në urën e Ibrit, në Komunë të Mitrovicës po mbahet një diskutim publik për përfitimet që do të sjellë hapja e saj.
Ndërkaq, një ditë më parë për Telegrafin zëvendës ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tregoi se ky proces i këtyre matjeve dhe testimeve mund të zgjas deri në tri ose katër ditë.
Ai tha se në mungesë të projektit në kohën kur është ndërtuar kjo urë, kompania është kontraktuar që të filloj me gjeometrinë e urës, testimin e shtyllave, të pllakave e të themeleve.
“Ata kanë filluar dje dhe tash është çështje e kompanisë deri sa t’i përfundojë. Janë çështje teknike. Dje kanë filluar me gjeometrinë, nuk e di a i kanë përfundu. Por, besoj që për dy tri ditë përfundojnë komplet këto si proces. Ky është një proces, në fillim bëhet gjeometria, pasi për atë urë nuk ka projekt ekzistues në kohën kur është ndërtuar ura. Kanë filluar me gjeometri, e kur ta përfundojnë me gjeometrinë, fillojnë me testimet e stabilitetit të trajeve të pllakave, të shtyllave, të themeleve e të gjitha këto. Si proces nuk zgjat më shumë se tri-katër ditë, ose dy-tri ditë”’, ka thënë Durmishi.
Ndryshe, sot te Ura e Ibrit është arrestuar Aleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe, pasi sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ai ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore.
Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer.
Mësohet se këta politikanë kanë penguar lyerjen e flamurit serb në afërsi të urës.
Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër. /Telegrafi/