Sot, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës(QKUK), është bërë dorëzim-pranimi i CT-së, 128 shtresore, aparaturë e teknologjisë së fundit, donacion nga projekti për asistencë humanitare, financuar nga Komanda Evropiane e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vlerë rreth 500 mijë euro. Në këtë ceremoni morën pjesë, Ambasadori amerikan, Jeffrey M.
Hovenieri, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënkolonel, Ryan Conley, Elvir Azizi, drejtor i përgjithshëm -SHSKUK dhe profesionist mjekësor nga Klinika e Radiologjisë dhe Emergjencës. Ambasadori i SHBA-së, Hovenier, tha se kjo aparaturë jo vetëm që do të rrisë kapacitetet e Klinikës Emergjente, por edhe do të përmirësojë standardin e kujdesit në Radiologji.
” Jemi të përkushtuar për t’i mbështetur përpjekjet tuaja për të përmirësuar kapacitetet në spitalet e Kosovës, e dëshmuar për vite me radhë.
Përmes programit për asistencë humanitare të Komandës Evropiane të SHBA-së, kemi investuar pothuajse 6 milionë dollarë në SHSKUK”, u shpreh ambasadori Hovenier.
Ai theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin e Kosovës, duke shtuar se ky donacion shpërfaq solidaritetin dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu mirënjohje për Ambasadën amerikane, e cila është jo vetëm aleat, por edhe mbështet rrugën e progresin në forcim të institucioneve shëndetësore, infrastrukturës dhe kualitetit të jetës së qyteteve të Republikës së Kosovës.
“Kjo është një ditë e veçantë dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për shëndetësinë, kjo ka ndikim në mirëqenie dhe shëndet të qytetarëve, falë punës dhe bashkëpunimit Zyrës për mbrojtje dhe bashkëpunim, kjo aparaturë ndikon në diagnostikim të hershëm në raste emergjente politraumatike, po ashtu është trajnuar edhe stafi” theksoi ministri Vitia.
Në emër të SHSKUK-së,marrëveshjen e donacionit e nënshkroi drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi.