Kosova sot do të shënoj një moment të paharrueshëm në historinë e saj sportive.
Sot, për herë të parë, flamuri i Kosovës do të valojë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, duke e vendosur vendin tonë në skenën më të madhe të sportit global për persona me aftësi të kufizuara.
Ceremonia hapëse, që nis në orën 20:00, do të mbahet në sheshin e famshëm Place de la Concorde dhe Champs-Elysees, përballë më shumë se 50,000 spektatorëve.
Kosova do të përfaqësohet në këtë ngjarje prestigjioze nga paraatleti Grevist Bytyqi, i cili do të garojë në disiplinën e tij sportive, i shoqëruar nga trajneri Adrian Mazreku dhe shefja e misionit, Arjeta Gashi.
Për herë të parë, ekipi i Kosovës do të parakalojë në mesin e 168 shteteve nga e gjithë bota, një arritje madhore për vendin tonë dhe sportin paralimpik.
Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, znj. Njomza Emini, e pranishme në Paris për të ndjekur nga afër këtë debutim, e përshkroi këtë moment si “realizim i një ëndrre” për parasportistët tanë.
“Pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Paralimpike është një dëshmi e përpjekjeve të jashtëzakonshme të komunitetit tonë të parasportit dhe një hap i madh për përfaqësimin ndërkombëtar të parasportistëve tanë”, tha ajo.
Kosova u bë pjesë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar vitin e kaluar, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes në këtë ngjarje madhore, që simbolizon përfshirjen, barazinë dhe fuqinë e sportit për të kapërcyer çdo pengesë.