Haradinaj: Takimet e shefit të CIA-s me krerët e shtetit lajm i mirë për Kosovën  

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar sërish vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë, William Burns dhe takimet e tij me zyrtarët shtetëror.

Haradinaj fillimisht kishte thënë se Burns nuk do ta takonte kryeministrin Albin Kurti për shkak të bllokadës së vendosur nga institucionet amerikane.

E takimi i Kurtit me shefin e CIA-s, ka bërë që kryetari i AAK-së të reagoi sërish.

“Vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës z. Burns në Kosovë, është nder i madh për Kosovën dhe lajm i mirë për sigurinë tonë. Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme”, shkruan Haradinaj.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën.

“Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, i’a lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike”, thekson tutje Haradinaj. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *