Punimi i një toke u bë mollë sherri mes dy familjeve në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë. Konflikti verbal mes tyre eskaloi në përleshje fizike, ku përpos grushteve u përdor edhe një armë zjarri, me ç’rast mbeti i plagosur një person.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se dy vëllezërit Bashkim e Isa Osmani dyshohet se kanë tentuar ta privojnë nga jeta 40-vjeçarin, N.V..
Ky i fundit u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Spitalit në Vushtrri, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore, por për shkak të natyrës së lëndimeve, ai u transportua për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Pos viktimës, ndihmë mjekësore morën edhe njëri prej të dyshuarve, Isa Osmani dhe një dëshmitar që ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin kritik.
Me të marrë informacione, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku gjatë ekzaminimeve për zbardhjen e rrethanave të rastit, kanë sekuestruar armën me fishekë që dyshohet se u përdor në rast dhe një gëzhojë.
Po ashtu Policia vuri në pranga vëllezërit Osmani, të cilët u shoqëruan në stacion policor për intervistim.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i gjithë sherri ka ndodhur pas një konflikti për punimin e një toke, e cila është në pronësinë e një personi të tretë.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Lëndim trupor’.