Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur urimet më të sinqerta për Donald J. Trump pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar rëndësinë e lidhjes strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Përmes, një postimi në Facebook Abdixhiku ka vlerësuar marrëdhënien e veçantë dhe të pazëvendësueshme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Ai ka theksuar se rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është një interes nacional i popullit të Kosovës, duke e konsideruar këtë një faktor kyç për ecjen përpara të vendit.
“Populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq edhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aleatin tonë strategjik të së shkuarës dhe të së ardhmes. Pa SHBA-të, ecja e Kosovës si shtet i ri dhe në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur,” tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së u shpreh se në qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen dhe do të mirëmbahen si orientime të pandryshueshme dhe të pathyeshme. Ai theksoi se misioni i Kosovës ka mbetur i pandryshuar: “Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, i anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, me miqësi të përhershme me SHBA-të,” ishte, është dhe do të mbetet misioni ynë, ka shkruar Abdixhiku.