Rreth 60 familje të fshatit Sharban të Prishtinës janë ankuar për punime jocilësore në rrjetin e kanalizimit, derisa nuk po mund të lidhen në rrjet shkaku që qypat janë vendosur pa u bërë nivelimi. Në Komunë kanë thënë se tri kompanive në konsorcium ua kanë ndërprerë kontratën dhe së shpejti do t’i vazhdojnë punimet me një operator tjetër
Banorët e fshatit Sharban të Prishtinës po ankohen se nuk po mund të lidhen në rrjetin e kanalizimit, pasi që gypat janë vendosur pa u bërë nivelimi me shtëpitë.
Banorët kanë thënë se i kanë bërë ftesë Inspektoratit Komunal për mbikëqyrjen e punimeve.
“Për kanalizim ia kemi ndërpre, kemi mbajtur mbledhje të fshatit, ia kemi ndërpre, sepse e ka pru punën sa që edhe ne si banorë me pas marrë me punua e kishim krye më mirë dhe s’kam çka të shtoj tjetër por i bëjmë apel Komunës le të vijnë zyrtarët, sepse i kemi ftuar por nuk janë duke ardhur. Ne jemi dhjetë familje të lagjes sonë që nuk mund të kyçemi hiç, sepse atje jemi më ulët për një metër, kurse pjesa tjetër ku është vendosu kanalizimi është më lartë dhe ky 80 centimetra e ka bo kanalizimin, ku ka kanalizim 80 centimetra”, ka thënë banori Emin Jusufi.
Përfaqësuesi i këtij fshati, Isak Xhemajli, ka thënë se prej 2011-s janë duke e pritur ndërtimin e kanalizimit për 60 familje sa ka gjithsej ky fshat, andaj kërkon që projekti të realizohet sipas standardeve.
“Në vend që me lënë kanalizimin poshtë që të ketë rënie poshtë e kanë lënë përpjetë dhe shumë shtëpi të banorëve nuk po mund të lidhen, shkaku që nuk e ka bërë nivelizimin e duhur. Më lart e ka lënë kanalizimin që e ka bërë komuna sesa kanalizimi i shtëpive që është lidhur deri më tash në lum dhe për këtë shkak ne ia kemi ndërpre punën dhe nuk kemi asnjë informatë nga komuna”, ka thënë Xhemajli.
Projekti që është në fazën përfundimtare, pas ankesave të qytetarëve, është ndërprerë. Komuna, pasi i ka inspektuar punimet, ua ka shkëputur kontratën tre operatorëve ekonomikë.
Muhamet Emra, zyrtar i lartë për ndërtim urban në Komunën e Prishtinës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se punëkryesi ka realizuar vetëm 37 mijë euro të vlerës së kontratës, ndërkohë së shpejti do të shpallet një tender i ri për vazhdimin e punimeve.
“Më 12.12.2023 përmes shkresës zyrtare kemi bërë kërkesën përmes Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, respektivisht kemi iniciuar procedurën e shkëputjes së kontratës për shkak të joefikasitetit të treguar, jogatishmërisë dhe neglizhencës së planit dinamik për përfundimin e punimeve”, ka thënë ai.
Emra ka njoftuar se për operatorët ekonomikë në konsorcium, do të iniciohet edhe procedurë gjyqësore përmes zyrës së prokurimit për neglizhencë dhe joefikasitet të punimeve.