Aksioni i djeshëm në Veri në mbylljen e komunave ilegale – aleatët kritikojnë ashpër Qeverinë e Kosovës

Policia e Kosovës mbrëmë ka zhvilluar një aksion policor në veri të vendit ku mbylli pesë objekte të komunave ilegale. Ky aksion tërhoqi vërejtje të ashpra nga shtetet aleate në Kosovë.

Në vazhdën e kritikave për hapa të njëanshëm e të pakoordinuar, Qeveria e Kosovës mori një sërë kritikash mbrëmë, më 30 gusht, për aksionin e Policisë së Kosovës në veri të vendit. Në reagimet e tyre, ambasadorët e akredituar në Kosovë thanë se çështja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Reagimi i ambasadës së SHBA-së:

Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.

Me urdhër të autoriteteve politike të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot, më 30 gusht, operacione kundër institucioneve të mbështetura nga Serbia në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.

Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.

Reagimi i Zyrës së BE-së në Kosovë:

BE-ja është e zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar me udhëzime të Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren. EULEX-i u vendos menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë.

BE dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar për depërshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës.

BE-ja dëshiron të përsërisë se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme.

Zyrat e mbështetura nga Serbia janë paraparë të adresohen dhe zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Ne presim që Kosova dhe Serbia të adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Reagimi i ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar:

Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të afektojnë më të cenuarit.

Reagimi i ambasadorit gjerman, Jorn Rohde:

Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet ambasadës së SHBA-së në Prishtinë në shprehjen e shqetësimeve dhe zhgënjimit për veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë. Ne duam të heqim masat dhe të ecim përpara në lidhje me integrimin rajonal dhe europian të Kosovës. Jo më kriza të panevojshme.

Reagimi i ambasadorit francez, Oliver Guerot:

Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm dhe pa dallim te pjesëtarët e një komuniteti, në këtë rast pjesëtarët e komunitetit serb, nuk janë të mirëseardhura. Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme.

Njoftimi i Policisë së Kosovës pas përfundimit të aksionit:

Operacioni policor i realizuar në veri të Kosovës, ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës, siç janë;

-Qarku i Mitrovicës së Kosovës,

-Komuna ilegale e Mitrovicës,

-Komuna ilegale e Zveçanit,

-Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe

-Komuna ilegale e Leposaviqit.

Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.

Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë.

I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për t’u veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente.

Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *