Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që regjistrimi për mërgatë të shtyhet deri më 31 dhjetor të këtij viti.
“Kërkoj afat shtyerje deri më 31 dhjetor”, tha Gërvalla në mbledhjen e 218 të qeverisë.
“Regjistrimi i mërgatës në formën që është duke u bërë sot është ndoshta ndërmarrja më e rëndësishme në raport me mërgatën në dekadën e fundit. Të dhënat e fundit do të na shërbejnë edhe institucioneve të vendit, por edhe vet mërgatës në të mirë të nevojave. Në ditët e fundit kemi pas një dinamik me afërsisht tre mijë regjistrime në ditë që do të thotë që këtë dinamik do të përpiqemi mos ta ndalim me përfundimin e afatit, ndaj kërkoj që të shtyhet deri në fund të vitit”, tha Gërvalla.
Afati për regjistrimin e diasporës ishte deri më 31 gusht.
Në procesin e regjistrimit të popullsisë janë regjistruar mbi 600 mijë qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës.
Ndërkaq, në regjistrimin e fundit të mbajtur këtë vit, Kosova ka ka 1.586.659 banorë rezidentë sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Rezultatet finale dhe më të detajuara parashihet të publikohen në fund të këtij viti.
Afati i regjistrimit të popullsisë ishte nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa me kërkesë në disa komuna u shty për një javë, deri më 24 maj.