Nuk ka kuorum për votimin e Komisionit Hetimor për zjarrin në Mjekësinë Ligjore

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë përfunduar mbajtjen e seancës për sot.

Njëra prej pikave në rend të ditës ishte themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se nuk pati kuorum të mjaftueshëm për votimin e pikës së përmendur më lartë.

Kurse janë votuar tri pika të tjera që janë si në vijim:

Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizimet e tilla,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një  anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, dhe për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *