Dëshmitari Fadil Geci po vazhdon dëshminë e tij pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ai është marrë në pyetje nga trupi gjykues.
Geci edhe sot është pyetur për komunikatën e 59’të, saktësisht për një telefonatë të pretenduar mes Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit për këtë çështje, raporton Express.
Gjyqtari e pyeti se prej nga e di se është bërë kjo bisedë telefonike.
“Nga deklaratat e drejpërdrejta që janë dhënë në televizon dhe nga deklarata që e kam pa e ngu, lexu dje e Rexhep Selimit dhe krejt është bindëse. Për mua 2 milionë përqind është bindëse. Dy persona, Hashim Thaçi Rexhep Selimi i ka thënë mos e shkruaj se nuk është qashtu për atë pjesë, ka thënë du me i shfaros këtë familje dhe ai ka qenë qëllimi. Na ka dëmtu shumë familjen tonë. Dy të vramë, vllaznit e plagum”, tha Geci.
Gjyqtari e pyeti se ku e ka parë këtë deklaratë të drejtpërdrejtë.
“Po ne e pamë në TV Dukagjin, këtu dje e kena pa dhe unë atje e kom pa dhe me data ju i keni, se unë jam i dobët në data…Është e dhane kjo deklaratë se është një dashakeq ai që e ka shkru komunikatën e 59, e ai dashakeq vetë është Hashim Thaçi”, ka thënë Geci.
Gjatë dëshmisë, Geci i referohet një deklarate që është dëgjuar dje, e gjykatësi i kërkon sqarime se për cilën deklaratë po flet. Ai thotë se është një intervistë e Rexhep Selimit.
“Gazetarët e pyesin se kush i ka shkruar këto komunikata. AI thotë, i kena pyet edhe tjerët po thotë po ikin gazetarët, përafërsisht kështu thuhet. Thotë e keni pyet Hashim Thaçin, thotë e kena pyet dhe ai është që…e thotë pra, është Komunikatën 59 e ka shkruar vetë dhe e ka lëshu vetë Hashim Thaçi. Kjo do të thotë nuk është i përzim Shtabi, Shtabi e ka marr veç emrin, por është individi që ka fol në emër të Shtabit dhe gjithë shtabi tjetër është deklaru që nuk jemi na.”, tha Geci.
I pyetur se kur është realizuar telefonata, Geci thotë se nuk i mban mend datat.
“Këto janë deklarata të tyre se unë me data jam i dobët. Këtu janë televizioni është data, ju e keni, e ka edhe prokuroria. Mundemi me përcjellë edhe njëherë me pa datën, me evidentu. Edhe e gjejmë datën. Jam I dobët në data, si mbaj mend”.