Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se nga e hëna ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal në gjithë Kosovën.

Sipas njoftimit, vaksinimi është duke u bërë në njësitë e vaksinimit të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjaren në komunat përkatëse.

Ndërsa, grupet me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë: punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar, personat mbi 65 vjeç, si dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore.

“Ekipet e vaksinimit janë të përgatitura dhe të motivuara për një fushatë të suksesshme të vaksinimit, ndërkohë që ekspertët e IKSHPK-së, po mbajnë këtyre ditëve takime intensive me punëtorët shëndetësor dhe grupet e tjera për të ritheksuar rëndësinë e vaksinimit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se, këtë vit furnizimi me vaksina të Gripit sezonal është bërë më herët se çdo vit tjetër dhe për këtë sezon, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 000 doza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *