Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në mëngjes në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, ku një njësi policore ka udhëruar një veturë që të ndalet për kontroll.
Gazeta Neutral mëson se shoferi që drejtonte veturën s’i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka ikur me veturë, ku madje edhe ka rrezikuar zyrtarin policorë.
I dyshuari u arrit që të ndalohet në magjistralen Gjilan – Prishtinë dhe i njëjti gjatë arrestimit ka pasur sjellje agresive ndaj policëve, të cilët i ka sulmuar edhe fizikisht, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
42-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.