Kurti mbledh në ballkonin e Qeverisë Jasharin, Maqedoncin e Muratin: Diskutuam për mbështetjen dhe planet

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në Qeveri Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati.

Kurti ka thënë se mbështetja e Qeverisë për FSK’në, s’ka qenë asnjëherë më e madhe e më e lartë dhe se po punojnë çdo ditë që FSK të jetë sa më moderne, më e fortë dhe profesionale, raporton Express.

“Diskutuam planet dhe mbështetjen e Qeverisë që asnjëherë nuk ka qenë më e madhe e më e lartë. Zhvillimi dhe fuqizimi i ushtrisë në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit është ndër prioritet tona kryesore, andaj po punojmë çdo ditë që FSK-ja të jetë sa më moderne, sa më e fortë dhe po aq profesionale”, ka shkruar Kurti.

Takimi i tyre vjen një ditë pas vizitës së Presidentit të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, i cili u takua me Kurtin e Maqedoncin.

Kurti ka thënë se Kosova do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia.

“Fillimisht, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës.”

Po ashtu, në takim gjithashtu është diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit.

“Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *