Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në SHBA është takuar me zëvendësndihmës sekretarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, në Departamentin e Shtetit.
Haradinaj tha se në takim i ka theksuar “nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO”.
Në Departamentin Amerikan të Shtetit, në një takim të hapur, përmbajtjesor dhe miqësor, diskutuam zhvillimet politike në Kosovë me z. Alexander Kasanof, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë. Falënderova z. Kasanof, administratën amerikane dhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për angazhimin dhe përkushtimin maksimal në mbështetje të Kosovës. Në këtë takim, theksova nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, pasi ky është një hap jetik për garantimin e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”.
Haradinaj ka përmendur edhe “një marrëveshje strategjike Kosovë-SHBA” për rrugën euroatlantike të Kosovës.
“Vlerësova se lidershipi dhe angazhimi amerikan janë të domosdoshme për një marrëveshje strategjike Kosovë-SHBA dhe për përparimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Arritjet e Kosovës, që nga vitet ’90, përfshirë luftën çlirimtare dhe procesin e shtetndërtimit, janë bërë në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një fitore e përbashkët”, tha ai.