E djathta ekstreme në Francë shkakton shqetësim deri në Kosovë

“Bixhoz i rrezikshëm” – kështu e përshkruan shumë media perëndimore vendimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të shpallur zgjedhjet e parakohshme legjislative.Sipas një shkrimi në New York Times, Macron i dha të djathtës ekstreme shansin më të mirë për të qeverisur me Francën – për herë të parë që nga ‘regjimi Vichy’ i Luftës së Dytë Botërore.“Për ata që kanë më shumë për të humbur nga e djathta ekstreme në pushtet – para së gjithash imigrantët dhe pasardhësit e imigrantëve të fundit – lajmi është i tmerrshëm. Macron, me siguri, shpreson se ky veprim është në dobi të tij. Por, mos gaboni: Franca është në rrezik”, shkroi New York Times.Macron i shpalli zgjedhjet pasi koalicioni i udhëhequr prej partisë së tij të qendrës, Rilindja, pësoi humbje dërrmuese nga partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, këtë muaj.Ai shfaqi besimin se populli francez do ta bëjë “zgjedhjen më të drejtë”.“Rritja e nacionalistëve dhe e demagogëve është rrezik për kombin tonë, por edhe për Evropën tonë dhe për vendin e Francës në Evropë dhe në botë”, tha Macron.Rrethi i parë i zgjedhjeve do të zhvillohet më 30 qershor, i dyti më 7 korrik.Sondazhet e opinionit, përfshirë një të publikuar në ueb-faqen Le Point, e nxjerrin Tubimin Kombëtar të Marine Le Penit në epërsi, me afro 30 për qind të votave, në rrethin e parë.Kjo do të thotë se nga muaji i ardhshëm, Macronit mund t’i duhet të qeverisë me kryetarin e Frontit Kombëtar, Jordan Bardella, si kryeministër.Bardella përfaqëson gjithçka që Macron kundërshton: është anti-migrant, euro-skeptik, nacionalist dhe populist.Në një intervistë televizive më 16 qershor, ai tha se “nuk do të jetë bashkëpunëtor i Macronit” nëse emërohet kryeministër.“Nëse populli francez më beson, unë do t’i drejtoj politikat e vendit përmes propozimeve të qarta, përmes prioriteteve konkrete, fuqisë blerëse, sigurisë, migracionit… Dhe po, dua të ndërtoj një qeveri të bashkimit kombëtar, me njerëz që nuk vijnë domosdoshmërisht nga Tubimi Kombëtar”, tha Bardella.Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Francë do të duhej të mbaheshin në vitin 2027, kur edhe mandati i Macronit skadon. Se përse ai ka vendosur të luajë me zjarrin në këtë mënyrë, ka mendime të ndryshme.Ish-diplomati francez, Pierre Vimont, tani bashkëpunëtor i Institutit Carnegie Europe, thotë se Macron mund të jetë duke testuar publikun francez dhe aftësinë e ekstremit të djathtë për të qeverisur.Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai thotë se performanca e Tubimit Kombëtar ka shkuar duke u përmirësuar viteve të fundit, për shkak të rritjes së pakënaqësisë sociale me establishmentin.“Arsyeja kryesore e kësaj pakënaqësie – nëse shihen sondazhet e opinionit – ka të bëjë me rënien e fuqisë blerëse dhe me cilësinë e shërbimeve publike. Njerëzit mendojnë se arsimi dhe kujdesi shëndetësor nuk e kanë efikasitetin e njëjtë siç e kanë pasur. Shto këtu edhe migrimin! Ata ndjehen disi të frikësuar nga migrimi, kanë ndjenjën e humbjes së identitetit të tyre kombëtar”, thotë Vimont.Sipas një studimi të vitit 2022, “92% e votuesve të Tubimit Kombëtar besojnë se shumica e imigrantëve nuk i ndajnë vlerat e Francës” dhe se “kjo krijon probleme për bashkëjetesën”.Për më tepër, shumë në Francë i shohin rregullat e gjelbra të BE-së si barrë për bujqësinë e tyre. Po ashtu, argumentojnë se importet e grurit nga Ukraina – për shkak të koncesioneve të luftës – i kanë dëmtuar tashmë të ardhurat e fermerëve francezë.Bardella zotohet se do t’i adresojë të gjitha këto.Vimont thotë se nëse ai e formon Qeverinë e re, ndikimi i Macronit në çështjet e brendshme do të zvogëlohej ndjeshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *