Të shtënat me armë në fshatin Prelez i Jerlive në Ferizaj që u dëgjuan pasditen e 17 gushtit, iu kushtuan me ndalim policor dy personave. Njëri dyshohet se përdori armën, e tjetri po dyshohet se e mori pistoletën dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Ndonëse tentuan të shpëtojnë nga prangat e Policisë, të njëjtit përfunduan në mbajtje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se dy personat që u arrestuan lidhur me këtë rast janë Besmir Hajdini dhe Besart Hajdini.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në servisin ‘Mili’, ku i dyshuari Besmir Hajdini ka gjuajtur me armë, ndërsa i dyshuari tjetër ka marrë armën dhe është larguar.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, është siguruar prezenca e dy të dyshuarve.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, ndërsa në veturën e Besart Hajdinit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 50 fishekë.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë dhe inicimin e rastit.