Mbi 10 mijë qytetarë serbë morën pasaporta të Kosovës që nga liberalizimi i vizave

Mbi 10 mijë qytetarë serbë janë pajisur me pasaporta të Kosovës që nga 1 janari i këtij viti.

Shpjegimi më i mirë për këtë shifër, sipas kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, është liberalizimi i vizave.

Ai ka theksuar se përveç interesimit për pasaportat e Kosovës, shumë qytetarët serbë kanë filluar t’i konvertojnë edhe targat.

Gjatë kësaj periudhe, Camaj ka thënë se mbi katër mijë automjete të pronarëve serbë janë konvertuar në targat e Republikës së Kosovës.

“Procesi i targave ka shkuar mirë. Siç e dini ai proces ka përfunduar. Rreth 4248 automjete janë konvertuar me targa të Republikës së Kosovës dhe ai proces është i mbyllur dhe si rezultat i kësaj, ka qenë e domosdoshme që të pajisen qytetarët serbë me patentë shoferë të Republikës së Kosovës që ka qenë një veprim i duhur”, ka thënë Camaj.

Tutje, ai ka thënë se numri i qytetarëve serbë të pajisur me letërnjoftim të Kosovës është rreth 105 mijë.

“Qytetarët serbë duhet ta kuptojnë se ata që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës duhet të pajisen me dokumente, duke filluar nga letërnjoftimi, pasaporta e kështu më radhë. Në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës që janë me shumicë serbe, janë dikund 105 mijë qytetarë serbë që kanë letërnjoftim të Republikës së Kosovës. Vlen të theksohet se nga liberalizimi i vizave, nga 1 janari deri më tani, 10 428 qytetarë serbë kanë marrë pasaportë të Republikës së Kosovës. Kështu që pas liberalizimit të vizave është shfaqur edhe interesimi i qytetarëve serbë për t’u pajisur me pasaportë”, ka thënë Camaj.

Camaj për EO ka bërë se që nga janari deri në gjysmë të gushtit, mbi 318 mijë qytetarë kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me pasaportë.

Mirëpo, përkundër rritjes së kërkesave, ai ka thënë se problemet me stafin e mungesën e materialeve janë tejkaluar. Madje, janë hapur edhe konkurse për punësimin e disa zyrtarëve në komunat me prioritet të lartë.

“Tani nuk kemi probleme, kemi material të mjaftueshëm për të gjitha dokumentet dhe qëndrojmë shumë mirë dhe procedurat jemi brenda afateve ligjore, përkundër kërkesave që kanë qenë në rritje gjatë kohës sa ishte diaspora. Nga 1 janari deri më sot, janë mbi 318 mijë qytetarë që kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me pasaportë. Është e vërtetë që kemi pas mungesë të stafit për shkak të daljes në pension apo çështjeve të ndryshme, tani jemi në procedura të rekrutimit, i kemi shpallë disa konkurse nëpër komuna që janë më me prioritet dhe jemi në vazhdimësi duke bërë kërkesë sa i përket shpalljes së konkurseve dhe t’i plotësojmë vendet e tjera me zyrtarë”, ka thënë Camaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *