Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka folur për hapjen e urës mbi lumin Ibër, për të cilën temë është përfolur shumë këto ditë.
Kusari-Lila në një konferencë për media ka thënë se në asnjë argumentim nuk mund të gjendet një kauzë e mirëfilltë për parandalimin e hapjes së urës.
“Flasim për lëvizjen e lirë dhe domosdoshmërinë e normalizimit të jetës në atë pjesë së Kosovës. Ura ka mbetur si sinonim i bllokadës dhe si sinonim i një kuazi-ndarje që është pretenduar të bëhet shumë vite më parë”, tha ajo.
Ajo gjithashtu tha se është e pakuptimtë që qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh nacionalitetin nuk mund të kalojnë me veturat e tyre mbi këtë urë.
Kusari-Lila tutje tha se ”Si grup parlamentar por edhe në aspektin politik vlerësojnë angazhimin e kryeministrit Albin Kurtit dhe atë të qeverisë, për komunikim të vazhdueshëm me QUINT-in dhe të gjitha institucionet relevante”.
Ndryshe, ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se hapja e urës do të lehtësonte lëvizjen dhe ndërlidhjen midis pjesëve veriore dhe jugore të qytetit.
Ai gjithashtu kishte mbajtur një takim me përfaqësues të shteteve të QUINT-it dhe të Bashkimit Evropian për të diskutuar edhe për hapjen e urës së lumit Ibër në Mitrovicë.
Mirëpo, e të njëjtit mendim me Kurtin nuk janë Bashkimi Evropian dhe vendet e QUINT-it: SHBA-ja, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe e edhe nga NATO-ja të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ishte i shkurtër në mesazhin që përçoj derisa refuzoi të tregoj për arsyen e kundërshtimit të hapjes së urës që lidh jugun e veriun e Mitrovicës.